Tomor Morina: Aktakuza ishte banale, kushtet në burg ishin tmerrësisht të këqija

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina u mbajt për disa javë në Burgun e Shutkës në bazë të një flet arresti të lëshuar nga autoritetet serbe në prill të vitit 2018.

Një ditë pas lirimit të tij nga autoritet maqedonase, Morina ka thënë se ka qenë banale aktakuza ne bazë të së cilës ai u arrestua.

“Aktakuza ka qenë shumë qesharake. Demek që unë paskam vra njerëz shumë. Kam djeg shtëpi. Gjëra të cilat nuk qëndrojnë. Nuk ka pas emra aty të njerëzve kush është vra, në cilën kohë është vra, kush janë dëshmitarë. Këto kanë qenë shpifje të ish-kohës së Millosheviqit të cilat sot i zbaton Serbia. Aktakuza ka qenë pa asnjë bazë. Ka qenë aktakuzë politike”, ka thënë ish-ushtari i UÇK-së për Express.

Morina foli edhe trajtimin që i është bërë në Burgun e Shutkës.

“Autoritetet maqedonase më kanë trajtu korrekt. Kushtet e burgut kanë qenë tmerrësisht të këqija, katastrofike. Më kanë vizitu, përfaqësuesit e ambasadës britanike, Bashkimit Evropian. Unë e kam ditë, kam besu që ekstradim nuk do të ketë”, thotë Morina.

Ai ka thënë se akuzat ndaj tij kanë qenë tërësisht politike.

“Pasaportën e kam ende në Maqedoni. Ma kanë ndal atje. Po pres ta marrë këto ditë. Të gjitha akuzat për mua kanë qenë politike. Veç me i barazu krimet që serbët i kanë kryer në Kosovë”, ka thënë në fund Morina.

loading…