Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kandidati i AAK-së për deputet, Dr. Arber Tolaj, ka reaguar lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë, duke theksuar se vendi vazhdon të përballet me probleme serioze në këtë drejtim.

Në një postim publik, Tolaj ka theksuar se, sipas raporteve të Transparency International dhe organizatave të tjera monitoruese, korrupsioni në Kosovë mbetet i përhapur, veçanërisht në sektorin publik. Ai ka akuzuar qeverinë e kaluar dhe kryeministrin Albin Kurti për rritje të shkallës së korrupsionit, sidomos në prokurimin publik, tenderët në shëndetësi dhe arsim.

Sipas Tolajt, gjyqësori dhe administrata vazhdojnë të jenë pikat më të ndjeshme ndaj korrupsionit, ndërsa niveli i lartë i tij ka ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e besimit të qytetarëve në institucione dhe në përkeqësimin e cilësisë së shërbimeve publike, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim.

Ai ka përmendur edhe rolin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, duke vlerësuar rritjen e hetimeve për deklarimin e pasurisë dhe shtimin e rasteve të sinjalizimeve, por ka kritikuar mungesën e masave ndëshkuese dhe parandaluese konkrete.

Tolaj ka shprehur falënderim për mediat dhe organizatat joqeveritare, të cilat, sipas tij, kanë dhënë kontribut të çmuar në luftën kundër korrupsionit.

Në fund, ai ka deklaruar se, si deputet i ardhshëm dhe në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të angazhohet për fuqizimin e mekanizmave kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si “kancer të shoqërisë”.