Tjetër huqje e MPJ-së në anglisht: Ka gabime edhe në “BIO-n” e llogarisë zyrtare

Skandalet me gjuhën angleze të zyrtarëve të ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës që udhëhiqet nga Donika Gërvalla nuk kanë të ndalur.

Pas postimit që u bë tejet viral gjatë ditës së djeshme lidhur me Rusinë dhe ndikimin e saj në arrestimin e gazetarit bjellorus si dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit, MPJ ka lëshuar edhe një gabim tjetër, shkruan lajmi.net.

Madje, ky gabim i MPJ-së në të shkruar gjendet në “BIO-n” e llogarisë zyrtare në Twitter.

Fjala “endorsment” aty është e shkruar gabimisht, pasi që në realitet do të duhej të ishte “endorsement”.

Mjafton të shikoni në fjalorin e “Cambridge” dhe do ta vëreni se fjala ashtu siç është shkruar nga MPJ nuk ka kurrfarë kuptimi dhe nuk ekziston në anglisht.

Ndërkaq, kuptimi i fjalës korrekte, jo ashtu siç e ka shkruar MPJ, por me gjasë siç e ka paramenduar, është akti i miratimit të diçkaje apo dikujt.