Procesi i Berlinit

Tirana mirëpret sot ministrat e jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit

24 delegacione nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit do të mblidhen sot në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm i cili i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Sipas njoftimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Në të do të marrin pjesë: Komisioneri për Zgjerimin i KE, Oliver Varhelyi, përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst; ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj.

Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC dhe RYCO.

Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, linjat kryesore të Ministerialit do të jenë: forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçante të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE, përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbër dhe atë Digjitale, përafrimi me Tregun Unik të BE-së, ruajtja e momentit rivitalizues të arritur në samitin e vjetshëm në Berlin, zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit evropian.