TIKA deklarohet për akuzat ndaj saj: Nuk kemi qëllim tjetërsimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.

Për këtë projekt, për të cilin u ngritën shqetësime nga profesorë universitarë dhe profesionistë të trashëgimisë kulturore, TIKA thotë se nuk ka për qëllim që të zbatojë asnjë projekt që është në kundërshtim më të kaluarën e shtetit të Kosovës.

“Deri më tani, në asnjë mënyrë në asnjë shtet nuk kemi zbatuar, nuk jemi duke zbatuar dhe nuk do të zbatojmë projekte në kundërshtim me kulturën dhe traditat e atij shteti”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s dërguar Radios Evropa e Lirë.

Çështja e Hamamit të Madh u bë temë diskutimi javën e kaluar, kur në fotografitë e prezantimit të projektit nga ana e Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s vërehej se këtij objekti i ishte ndryshuar emri.

TIKA nuk është përgjigjur në pyetjen e REL-it nëse ka propozuar që Hamami i Madh pas restaurimit të quhet “Fatih Hamami Muzesi”.