Tik-tak-u i KQZ-së për koalicionet: Nesër në ora 00:00 afati i fundit për regjistrim, s’ka shtyrje

Javën e kaluar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar 6 tetorin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Data e zgjedhjeve u caktua pas shpërndarjës së Kuvendit më 22 gusht, e cila e pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e Kryeministrit, pas ftesës për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Që pas dorëheqjes së Haradinajt, ende pa u shpërnda Kuvendi, partitë politike përveç fushatës në rrjete sociale e në terren, kanë filluar edhe bisedimet me njëra tjetrën për koalicione të mundshme parazgjedhore.

Deri tani janë arritur dy koalicione parazgjedhore. Koalicioni i parë u arrit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

Kolicioni i dytë i arritur ishte mes Nismës së Limajt e AKR-së së Behgjet Pacollit.

Por, koalicioni i mundshëm që bëri më së shumti zhurmë e që ende nuk është arritur është ai mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosjes, dy partive më të mëdha ne vend sipas sondazheve.

Edhe pas takimeve të shpeshta mes krerëve të këtyre partive, ende asgjë zyrtare, edhe pse ka ditë që thonë se janë afër një marrëveshjeje.

Pengesa e vetme e këtij koalcioni po mbetet pozita e Kryeministrit.

Bile nga Vetëvendosje ishte bërë një ofertë për LDK-në që pozita e Kryeministrit të jetë me rotacion. Sipas tyre VV-ja duhet të marr postin e kryeministrit në mandatin e parë, ndërsa në mandatin e dytë ky post do t’i takojë LDK-së.

Por, duket se LDK-së nuk po i pëlqen kjo ofertë, pasi ditë më parë edhe zgjodhi Vjosa Osmanin, kandidate të kësaj partie për kryeministre, e cila po merr mbështetjë të madhe, të paktën në sondazhet online, në të cilat po prin binshëm.

Derisa VV e LDK të vendosin për koalicion e për post të kryeministrit, KQZ po i bie kombanës për mbylljen e afatit për regjistrim të koalicioneve në këtë Komision.

Valmir Elezi nga Komisioni qendror i zgjedhjeve bëri të ditur për Ballkani.info se partitë politike do të mund të regjistrohen si koalicion në KQZ deri nesër në ora 00:00.

“Afati i fundit kur partitë do të mund të regjistrohen si koalcione parazgjedhore në KQZ do të jetë dita e nesërme, saktësisht në orën 00:00”, dhe deri në këtë moment nuk është regjistruar asnjë koalcion”, tha zëdhënësi i KQZ-së për Ballkani.info.

Ai tutje shtoi se ky afat është vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nuk mund të shtyhet as edhe me kërkesën e partive politike. Ndërsa afati i fundit për dorëzimin e listave të partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë, sipas Elezit, është 6 shtatori, do të thotë një muaj para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. /Ballkani.info/

loading…