Tifozët e PSG-së ende duhet ta presin debutimin e Ramosit

Mauricio Pochettino ka folur për situatën e lëndimit të Sergio Ramosit, teksa Paris Saint-Germaini po bëhet gati për duelin e së premtes në Ligue 1 kundër Angersit.

Ramosi ende nuk ka debutuar me PSG-në ani pse u transferua në verë nga Real Madridi dhe spanjolli po mundohet ta lë prapa lëndimin në pulpë.

Ai nuk do të jetë i gatshëm të premten në takimin që nis në orën 21:00.

“Ai ende është duke vuajtur nga lëndimi, por mendërisht është i fortë. Po përgatitet në mënyrën më të mirë me gjithë stafin mjekësor. Të gjithë po mundohen ta ndihmojnë atë që të paraqitet sa më mirë dhe ta kalojë këtë problem”, tha Pochettino në konferencën për shtyp të enjten.

PSG-ja do të jetë edhe pa Keylor Navasin që u lëndua me Costa Rican në humbjen 2:1 nga SHBA-ja në kualifikime të Kampionatit Botëror.

PSG-ja është në krye të renditjes në kampionatin francez.

Ndeshjen e fundit e humbi 2:0 në udhëtim te Rennesi.