Thyen 9 vetura të kosovarëve, një muaj paraburgim për shtetasin palestinez

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës një muaj paraburgim kundër të pandehurit K.B. për shkak se ka kryer veprat penale asgjësim apo dëmtim i pasurisë, dhe vjedhje e rëndë.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet në liri i pandehuri mund të arratiset, pasi që i njëjti është me shtetësi palestineze dhe ka aplikuar për të drejtën për azil në Qendrën e Azilit në Magure, dhe është person me shtetësi të huaj, andaj mund ta fshehë identitetin e tij të vërtetë dhe të përsërisë ose të kryejë vepra tjera penale.

K.B. dyshohet se ka kryer këto vepra penale në Prishtinë brenda një dite në intervale të ndryshme kohore, duke vjedhur një automjet dhe gjithashtu me anë të një mjeti të paidentifikuar ka thyer rreth 9 automjete dhe ka marrë gjësende të ndryshme.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.