Pas një reagimi të çuditshëm e goxha të butë të ambasadorit kosovar në Shkup në lidhje me shfaqjen albanofobe dhe të mbushur me thirrje fashiste në ndeshjen e basketbollit, publicisti Lirim Dullovi s’e kurseu fare ambasadorin Florian Qehaja.
Në një reagim, edhe pse të vonshëm, të publikuar në profilin e ambasadës në Facebook, ambasadori Florian Qehaja e përshëndet reagimin e institucioneve dhe, siç thotë ai, qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje.
“Ambasada ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në një ndeshje basketbolli në Kumanovë. Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje. Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në reagimin e shkurtër të Ambasadës së Kosovës.
Për këtë deklaratë jo fort të pritshme prej ambasadorit kosovar, Lirim Dullovi pati goxha fjalë të ashpra në drejtim të tij.
“Nje reagim si te ishte ambasador i Republika serbskes ne Maqedoni. Turp, turp, turp. Cka po perjetojme nga perfaqesuesit e Qeverise se Kosoves, e pabesueshme!!!” – shkroi Dullovi në Facebook.
Dje bëri bujë ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, ku prezent ishte edhe kryeministri maqedonas Hristjan Mickoski. Në këtë eveniment, pati thirrje fashistë në drejtim të shqiptarëve, duke kërkuar edhe dhoma gazi për ta.






