Zgjedhjet parlamentare në Kroaci do të mbahen më 5 korrik.
Një rëndësi të veçantë këto zgjedhje do ta kenë për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kroaci.
Përveç se vetëm për të marrë pjesë ata do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Kandidat për deputetë për Kuvendin e Kroacisë është shqiptari, Idris Sulejmani.
Sulejmani tha se në Kroaci janë diku 18 mijë shqiptarë.
“Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011-të kanë dalë 18 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, 12 mijë me të drejtë vote. Tani për shkak të situatës me Covid-19 janë dikun 6 mijë shqiptarë për shkak se të tjerët kanë dalë nga shteti, tani sipas informatave do të dalin dikun 3 mijë e 500”, thotë Sulejmani.

Sipas tij, pakicat kombëtare ndahen në pesë grupe. Dhe shqiptarët hynë në grupin e pestë bashkë me: boshnjakët, malazezët, maqedonët dhe sllovenët.
“Të gjithë kandidatët garojnë në një listë të pakicave dhe ai i cili i merr shumicën e votave është fituesi”.
Ai theksoi se komuniteti shqiptarë atje përballet me shumë probleme.
“Shqiptarët përballen me shumë probleme. Janë problemi i dokumentacionit. Problemi i ushtarëve. Shqiptarëve u thuhet se duhet ta lëshojnë nënshtetësinë e Serbisë. Kjo është absurde. Kosova dhe Kroacia e njohin njëri-tjetrin si shtet. Kjo është biznes. Shqiptarët maltretohen dhe detyrohen të marrin avokatë për ta hequr shtetësinë e Serbisë”.
Sipas tij problematike është edhe marrja e shtetësisë.
“Diskriminimi nga shteti kroat bëhet edhe kur shqiptarët shkojnë për të votuar. I pyesin se a doni të merrni fletvotimin e partive apo pakicave? Kjo besoj se nuk ishte dashur të ju interesojë fare atyre se për kënd votojnë. Madje në rajonin e Dalmacisë dhe Sllavonisë, kanë frikë të kërkojnë fletën”.

Ai zotohet se do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin e Kroacisë.
“Në qoftë se duan që shqiptarët ta kenë zërin e tyre dhe të ju degjohet zëri ta votojnë Idris Sulejmanin me numër 6. Unë jam kandidat i pavarur dhe nuk jam i ngjitur për ndonjë parti apo interes”.
Sulejmani iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që janë shtetas të Kroacisë por që jetojnë apo punojnë në ndonjë vend tjetër që deri më datën 24 qershor të lajmërohen në Ambasadat e Kroacisë, dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
“Deri më datën 24 qershor të lajmërohen në Ambasadat e Kroacisë dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votim. Të votojnë. Por edhe duhet të deklarohen se janë shqiptarë”.
Sulejmani është me prejardhje nga Tetova, por ka lindur dhe është rritur në Poreç të Kroacisë. /Ballkani.info/







