LAJMI I FUNDIT

Thirrje për gjenocid me mbështetjen e heshtur të autoriteteve serbe: Aktivistët bëjnë thirrje për reagim ndaj grafiteve “Kur ushtria të kthehet në Kosovë…”

Grafitët “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…” që janë shfaqur në mbarë Serbinw gjatë muajve të fundit është manifestim i rritjes së gjuhës së urrejtjes në shoqëri, e cila vazhdon pa asnjë reagim nga autoritetet, u tha në një konferencë për media të organizuar nga një grup aktivistësh për të drejtat e njeriut.

Milena Beriq nga shoqata “Krokodil” theksoi se mbishkrimet e përmendura nuk paraqesin vetëm mbishkrime ilegale, por edhe gjuhë urrejtjeje që në fund të fundit thërret për gjenocid.

“Këtu nuk ka as patriotizëm as traditë, sepse flitet për angazhimin e ushtrisë në kohën kur e gjithë shoqëria merret me temën e dhunës”, ka thënë Beriq.

Një grup aktivistësh që e thirrën konferencën në shkurt të këtij viti organizuan pastrimin e parkut në Vraçar, gjatë të cilit mbuluan grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë…” të shkruar në ndërtesën e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji. Pavarësisht se aksioni ishte raportuar, aktivistët janë penguar nga pjesëtarët e policisë. Si rezultat, shtatë aktivistë morën më shumë se njëzet kallëzime për kundërvajtje.

Njëra prej tyre, Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, theksoi se me pastrimin e grafiteve kanë bërë atë që duhej të bënte shteti.

– Ndryshe nga ata që i shkruajnë këto grafite, ne nuk fshihemi. Për këta persona nuk ka akuza për kundërvajtje, nuk ka gjykata për ta, tha Todoroviq, duke pyetur se kur patriotizmi është reduktuar në lyerje muresh.

Vladimir Arsenijeviq, shkrimtar dhe kryetar i shoqatës “Krokodil”, theksoi se reagimi i autoriteteve në këtë rast tregon gjithë absurditetin e një sistemi.

– Për shkak se donim të hiqnim grafitet e paligjshme, morëm kallëzime kundërvajtëse, me pretekstin se po prishnim pamjen e objektit. Muret në Beograd nuk janë platformë për tërbim dhe as për mesazhe politike të askujt, tha Arsenijeviq, duke shtuar se pretendimi se grafiti citon vargun e këngës popullore është një “vezë klasike e qyqes”.

Arsenijeviq theksoi se vetëm disa ditë pasi kanë kaluar mbi grafitin, është shkruar sërish. Për këtë, shtoi ai, askush nuk është sanksionuar për kundërvajtje.

– Në këtë shoqëri, duket se ka mesazhe të shenjta që nuk duhet t’i prekësh. Është e pabesueshme se si shoqëria bie në truket e lira, tha Arsenijeviq.

Avokati Millosh Jankoviq theksoi se kundër aktivistëve janë ngritur më shumë se njëzet kallëzime për kundërvajtje, sepse ata donin të rregullonin dëmtimin e fasadës së objektit të Institutit të Kimisë.

– Bëhet fjalë për shfrytëzimin e institucioneve për ndjekjen penale të atyre që bëjnë diçka që nuk i përshtatet autoriteteve, theksoi Jankoviq, duke theksuar se urdhrat për kundërvajtje dhe kërkesat për fillimin e procedurës për kundërvajtje bazohen në një sërë palogjikshmërish juridike.

Milan Filipoviq, avokat nga organizata JUKOM, theksoi se disa ligje trajtojnë temën e gjuhës së urrejtjes, por që këto dispozita rrallë zbatohen në praktikë. Ai theksoi se është formuar një grup punues i ekspertëve i cili duhet të analizojë këtë fushë dhe t’u dërgojë autoriteteve një sërë rekomandimesh në mënyrë që të bëhet më efikas sanksionimi i gjuhës së urrejtjes.