Thellohet skandali edhe më tej: Paratë e Qeverisë shkuan në Novi Pazar

Skandali me 1.2 milionë eurot që Qeveria e Kosovës ndau për Luginën e Preshevës sa vjen e thellohet. Njerëz të afërt me Afërdita Sinanin, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës dhe këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, Shaip Kamberin, Ragmi Mustafin dhe vetë Partinë për Veprim Demokratik kanë përfituar direkt nga ky fond. Nga Lugina e Preshevës paratë e dhuruara nga Qeveria e Kosovës “udhëtuan” për në Novi Pazar.

Rahim Salihiu, këshilltari politik i Shaip Kamberit, si dhe anëtari i kryesisë së Partisë për Veprim Demokratik (PVD), ka përfituar një shumë të majme nga ky fond.

Paparaci ka siguruar dokumentet që dëshmojnë se Salihu ka marrë 30 mijë euro nga fondi i Qeverisë së Kosovës. Këtë fond ai e ka marrë për hapjen e zyrës së deputetit popullor shqiptar.

Më saktësisht projekti që i mundësoi Rahim Salihut të përfitojë nga fondi i Qeverisë është “Asistencë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve përmes përfaqësimit parlamentar – zyra e deputetit popullor shqiptar në Luginë”.

Nga fondi mbi 1 milionë euro ka përfituar edhe një OJQ nga Novi Pazari në Serbi. Organizata joqeveritare “Froum 10” ka përfituar 10 mijë euro ky fond. Pronar i këtij forumi është Fahrudin Kladnicanin.

Ky i fundit është mik i krerëve të PVD-së. Në fotografitë që posedon mediumi, ai shihet së bashku me Shaip Kamberin e Ragmi Mustafain.

Në dokumentet shihet se këtë shumë “Froum 10” e ka marrë me projektin “Promovimi I diversitetit dhe barazisë së shqiptarëve në Serbi”.

Përfitues të këtij fondi nuk kanë qenë vetëm shqiptarët e Luginës. 5 mijë euro i janë ndarë edhe OJQ-së nga Gjilani “Kosova për Sanxhakun”. Projekti që rrëmbeu këto para titullohet “Dasma e Preshterit”.

Pronari sipas mediave është Ismet Azizi. Ky është mik i kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafai.

Kjo OJQ përfitoi këtë shumë parash për incizimin e një dasme në Rafshnaltën e Preshterit, në partneritet me shoqatën “Bošnjački Informativni Centar“ të Novi Pazar.

Qeveria e Kosovës i ka ndarë javën e kaluar, në një mbledhje të kabinetit qeveritar më 23 dhjetor, 1.2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mjetet i janë ndarë Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Fondi është vënë në dispozicion për mbështetjen financiare të studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga Lugina e Preshevës.

Përzgjedhja e projekteve për përfitimin e mbështetjes financiare nga fondi, është bërë nga një komision i përbërë nga tre anëtarë. Dy anëtarë janë caktuar me aprovimin e Këshillit Nacional Shqiptar në Luginë dhe një anëtar është deleguar nga Qeveria e Kosovës.

Kujtojmë, se Ardita Sinani është emëruar këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, në muajin shkurt të këtij viti.

Emërimi i Sinanit si këshilltare e kryeministrit Kurti, siç kishte njoftuar qeveria, përbënte hapin e parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë ndihma financiare disa herë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në territorin e Serbisë.

Sinani, nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, është e para grua politikane në Luginën e Preshevës dhe ka qenë po ashtu edhe kryetare e Preshevës.