Thellimi i krizës | SBASHK paralajmëron masa të ashpra, PDK kallëzim penal për mosekzekutimin e pagave

Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëheq me Qeverinë e Kosovës është shprehur e vendosur me mosekzekutimin e pagave për muajin shtator, ndaj punëtorëve të sektorit publik që ishin në grevë. Mirëpo, kjo nga opozita u konsiderua si vepër penale, për çka nga Partia Demokratike e Kosovës, paralajmëruan se do ngrenë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nëse nuk ekzekutohen pagat deri të enjten për grevistët. Lidhur me këtë, Kuvendi i Kosovës do të mbajë edhe një interpelancë ndaj ministrit Murati të premten, iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nënvizoi sërish qëndrimin e ekzekutivit, se sipas Ligjit për Greva, punëtorët e sektorit publik nuk kompensohen për ditët që nuk kanë punuar.

Nëse sërish nuk dorëzohen listat nga agjencitë buxhetore dhe komunat, Kusari-Lila tha se duhet patjetër të gjendet një përgjigje, pasi në zinxhirin institucional duhet të ketë një konfirmim për procedimin e tyre.

“Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo mos kompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Ky ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencive buxhetore (komunat) edhe për muajin e kaluar kur është kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë. Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat, parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët, të cilët nuk janë në vendin e punës…Nëse nuk dorëzohen listat besoj se prapë duhet të jetë një përgjigje, pasi në zinxhirin institucional duhet të ketë një konfirmim ose dakordim në shkrim për ata që procedojnë lisat. Pasi është detyrë e punës edhe zyrtarëve kryesor financiar të institucioneve të përcjellin informacionet në raport me punën”, tha ajo .

Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nëse nuk ekzekutohen pagat deri të enjten do të ngrenë kallëzim penal ndaj ministrit Murati, për të cilin tha se është i papërgjegjshëm, arrogant dhe i padijshëm.

“Ne do të presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse brenda këtyre pesë ditëve të punës, deri ditën e enjte nuk ekzekutohen pagat, ne do të bëjmë një kallëzim penal ndaj ministrit Murati. Mosekzekutimi i pagave nga ministri i financave është vepër penale dhe ne në Prokurorinë Speciale të Kosovës bëjmë kallëzim penal. Shpresojmë që mos të vjen puna deri aty, por ne kemi një ministër të papërgjegjshëm, arrogant dhe të padijshëm”, tha Tahiri.

Mosekzekutim i pagave për grevistët, sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri është një hakmarrje politike ndaj një kërkese sindikale.

“Interpelanca ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, ndërlidhet me vendimin e tij arbitrar për ndalimin e pagave, presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës dhe po ashtu për ndërhyrjen në autonominë e komunave. Për ne roli i qeverisë është të ndihmojë Kosovën në situata të vështira dhe jo me vendime arbitrare të pengojë punën e organizatave buxhetore”, theksoi Tahiri.

Në anën tjetër, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse nuk ekzekutohen pagat e muajit shtator, atëherë vendi do të futet në një krizë edhe më të thellë dhe do të krijohet një situatë e keqe në sistemin arsimor.

“Nga informacionet që i kemi jozyrtare flitet se nuk iu kanë dal pagat ne jemi në pritje sepse afati ligjor është deri me 5 tetor, shërbyesve civil iu kanë dal pagat ndërsa në sistemi arsimor, ne gëzohemi që ata kanë paga por Qeveria ish dashtë të veproj njëjtë t’i ekzekuton pagat e jo të bëjnë ndasi pasi që ndalja e pagës është joligjore. Nëse bëhet ky akt i ndëshkimit një situatë do të kemi më të keqe në sistemin arsimor”, ka thënë Jasharaj.

Krahas këtyre, në seancën e së premtes do të mbahet edhe një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi dhe formimin e një komisioni ekzekutiv për shëndetësi nga Qeveria e Kosovës. /Demokracia.com/