“The Lion King” prezantohet me klipin e shkurtër “Can You Feel The Love Tonight?”

The Lion King është vetëm një në vargun e filmave të Disney, me të cilët studioja planifikon t’i pushtojë arkat e kinemave verore. Deri tani kemi mundur t’i shohim disa trilerë, video dhe foto të cilat duken të mrekullueshme, ndërsa tani edhe klipi i shkurtër televiziv do t’ju mahnitë.

Në klipin e ri, i cili zgjat vetëm 45 sekonda, e shohim skenën legjendare në të cilën Mufasa (James Earl Jones) i drejtohet Simbës së vogël. Përveç skenës prekëse është edhe versioni i ri i këngës “Can You Feel the Love Tonight?”, të cilën e dëgjojmë në prapavijë, të kënduar nga Donald Glover dhe Beyoncé Knowles Carter, të cilët në film ua huazuan zërat Simbës së rritur dhe shoqes së tij nga fëmijëria Nala.

Regjinë e filmit e bën Jon Favreau, i cili na kthen në savanën afrikane, në të cilën lind Simba, i biri i Mufasas dhe mbreti i ardhshëm. E gjithë kjo nuk i pëlqen Scarit, vëllai i Mufasas, i cili ka plane të tjera për këlyshin. Pason një histori edukative për tradhtinë, tragjedinë dhe miqësinë e vërtetë. Në versionin origjinal, përveç Jones, Glover dhe Beyoncé zërat i kanë huazuar edhe Chiwetel Ejiofor, Seth Rogen, John Kani, Billy Eichner, Alfre Woodard dhe John Oliver.

Edhe pse shumë adhurues u shqetësuan nëse kafshët do të duken realistike derisa flasin, si duket ky problem nuk ekziston më, por ende na intereson se si do të duket tregimi legjendar i animuar i cili preku shumë zemra në mbarë botën qysh nga viti 1994, në versionin filmik.

loading…