The Guardian: Rama po e çon vendin në krizë të plotë

Prestigjiozja “The Guardian” i ka kushtuar një artikull situatës politike në Shqipëri. Shkrimi i tyre nis me ato që i quajnë dy problemet e mëdha që po e pengojnë kryeministrin Rama të fusë Shqipërinë në BE.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dëshiron të jetë njeriu që do fusë vendin e tij në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ai po përballet me dy probleme të mëdha:
Në Evropë udhëheqësit e lodhur nga zgjerimi po luajnë një lojë të vështirë, të kujdesshëm ndaj pranimit të anëtarëve të rinj potencialë në një kohë kur janë rritur ndjenjat populiste dhe europesimiste, ndërsa në shtëpi Rama po përballet me demonstrata javore kundër sundimit të tij, nga një opozitë që është gjithashtu pro-BE por akuzon qeverinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe po kërkon zgjedhje të parakohshme”,- thuhet në artikull.

“Në një intervistë në zyrën e tij në qendër të Tiranës javën e shkuar, Rama tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE ishte ” mundësia përfundimtare për t’ju larguar mallkimit të historisë”.

“The Guardian” fillon të përshkruajë më tej Shqipërinë që nga rënia e regjimit komunist e deri në ditët e sotme, kur pret të njihet me vendimin e KiE sa i përket hapjes së negociatave.

“Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që përmbysi regjimin komunist, në vitin 1992, pas dekadave në të cilat vendi u nënshtrua terrorit dhe izolimit nën diktaturën e Enver Hoxhës, një stalinist paranojak ballkanik. “Ne ishim Koreja e Veriut e Evropës”, tha Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin më mizor komunist. Për këtë ne jemi tani proamerikanë, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi myslimanët më pro-evropianë në botë. “Në një sondazh të vitit të kaluar, 95% e popullsisë thanë se besonin se nga anëtarësimi në BE do të përfitonte vendi. Pas rënies së komunizmit vendin e kaploi një kapitalizëm i egër dhe qindra mijëra shqiptarë u nisën për në Itali dhe vende të tjera evropiane. Midis tyre ishin edhe anëtarë të bandave kriminale, të cilët u përhapën në të gjithë Evropën dhe infiltruan politikën në Shqipëri. Detyra e Ramës ka qenë të bindë Komisionin Europian se reformat po përparojnë, megjithëse ngadalë, madje edhe pse kritikët në shtëpi e akuzojnë atë për kryesimin e një sistemi të kalbur”,- vijon shkrimi.

“Një raport i Komisionit Europian muajin e kaluar gjeti se si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin reformuar mjaftueshëm për të filluar procesin e pranimit, por vendimi përfundimtar qëndron në duart e udhëheqësve politikë të Europës dhe tani duket e pamundur të hapet semafori i gjelbërt. Rama ende shpreson të ndryshojë mendjet e tyre”,- theksohet ndër të tjera.

Me detaje është përshkruar edhe zyra e tij si dhe njerëzit me të cilët ai këshillohet. “Një kosh basketbolli zbukuron dhomën e pritjes jashtë zyrës së tij të punës, ndërsa brenda zyrës, muret janë të mbuluara me skica me ngjyra të ndezura që Rama i vizaton teksa punon në tryezën e tij. Njëri prej tyre është një imazh i Alastair Campbell i shfaqur si heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu hipur mbi kali me shpatë në njërën anë dhe një iPhone në tjetrën. Rama e emëroi Tony Blairin si frymëzuesin e tij kryesor politik dhe e angazhoi Campbellin si një konsulent politik. Të dy mbeten “miq të mirë”, tha ai”

Ndërsa liderët evropianë shqetësohen për optikën e brendshme politike për hapjen e negociatave në një kohë kur ka pak oreks për zgjerimin, detyra e Ramës herë pas here ka qenë t’i bindë ata.

“Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Ramës, tha se ai besonte se si Rama ashtu dhe Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut duhet të shpërblehen për kryerjen e reformave të vështira. “Unë mendoj se ata të dy janë trajtuar shumë keq. Ata morën vendime shumë të dhimbshme, rrezikuan mandatet e tyre, nganjëherë jetët e tyre…”, theksohet në shkrim.

“Nuk po kalon vetëm me Brukselin një moment të ndërlikuar, protestat javore kundër qeverisë së tij intensifikohen edhe në shtëpi. Fundjavën e kaluar, mijëra njerëz u mblodhën në rrugën kryesore të Tiranës, në një tubim të zhurmshëm dhe të mirëorganizuar, me flamuj, banderola dhe fishekzjarre. Ata bërtisnin “Rama, ik!”, vijon shkrimi, duke përshkruar protestën e fundit të opozitës.

Më tej citohet ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi: “Ne kemi një kryeministër autoritar, arrogant dhe jo transparent”. Ajo dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike dolën nga parlamenti dhe po kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen.

Shkrimi vazhdon me vendimin e Presidentit Ilir Meta dhe nismën e socialistëve për ta shkarkuar, ndërsa thuhet se vendi po zhytet drejt një krize të thellë kushtetuese.

“Presidenti Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ndërsa Rama ka këmbëngulur se do të vazhdojë pa opozitën, duke thënë se ai nuk dëshiron të shpërblejë protestat në rrugë. Socialistët kanë biseduar që këtë javë të nisin një votim në parlament për të hequr presidentin, duke e zhytur vendin në një krizë të plotë kushtetuese, në një kohë që diskutimet në BE për hapjen e negociatave janë në një pikë kyçe.”

Shkrimi përmend edhe përgjimet e fundit të publikuara nga Bild, duke theksuar se në Shqipëri s’kalon një muaj pa plasur ndonjë skandal i ri.
“Nuk kalon muaj pa një skandal të ri që lidh ata që janë pranë pushtetit me figura kriminale. Një ish-ministër i brendshëm së shpejti pritet të dalë në gjyq për akuzat për trafik droge. Javën e kaluar, tabloidi gjerman Bild publikoi disa përgjime në të cilat dëgjohet një figurë famëkeqe e botës së krimit, duke diskutuar zgjedhjet e vitit 2017 me dy kryebashkiakë të Partisë Socialiste të Ramës. Rama nuk pranoi të thoshte nëse ai do të ndëshkonte kryetarët e bashkive, duke pretenduar se ata nuk mund të mos e dinin se bashkëbiseduesi i tyre ishte një figurë kriminale, pasi ai u arrestua më pas me akuzën për trafik droge. Ai pranoi se Shqipëria kishte ende probleme me korrupsionin dhe krimin, por këmbënguli që qeveria e tij po merrte hapa realë për t’i luftuar ato dhe donte që ta vazhdonte këtë me ndihmën e BE. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar një procesi verifikimi, ndërsa agjencia e kufirit e BE-së, Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së në Shqipëri, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Ndërkohë që mbështetja ndërkombëtare për Ramën ështëdobësuar për shkak të përshtypjes se lufta kundër korrupsionit nga qeveria e tij është thjesht kozmetikë. “Ne duhet të ndryshojmë më shumë se qeveria. Ne kemi nevojë për një sistem të ri, një zgjidhje për dekadat e ardhshme “, tha Blendi Fevziu, një gazetar veteran që pret bisedimet më të vështira politike në vend”,- vijon shkrimi.

“Për Ramën, përkundër dëshirës së ethshme për t’u bashkuar me BE-në, ekziston edhe një shqetësim i vazhdueshëm për atë se si vendi mund të duket kur të bashkohet me bllokun. “Duket sikur jemi mallkuar, sepse kur BE ishte e mirë, ne ishim të këqij; tani që po bëhemi më mirë, BE-ja ka telashe “, tha ai. Në veçanti, ai shikon sagën e Brexit me mosbesim. “Është shumë ballkanike ajo që po ndodh në Britani. Marrëveshje, asnjë marrëveshje, kufizim i butë, kufi i vështirë, asnjë marrëveshje. Është Ballkani! Është si parlamenti i Bosnjes. Ndërkohë që po përpiqemi të bëjmë si Evropa, ata duket sikur po bëjnë si Ballkani”,- përfundon artikulli.