Kosova ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave për shkak të krizës energjetike. Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo veprimtari shpenzon shumë energji elektrike. Një prej mediave më prestigjioze në botë, “The Guardian”, në artikullin e saj të fundit tregon sesi qytetarët që merren me këtë veprimtari janë në panik dhe po detyrohen t’i dërgojnë pajisjet jashtë vendit, deri sa përmendin edhe faktin se serbët në veri nuk paguajnë rrymë, pasi për këtë kujdeset shteti.

Për entuziastët e Bitcoin në Kosovë, kjo ka qenë një javë e mirë për të arritur marrëveshje për pajisjet kompjuterike që mund të prodhojnë ose “minojnë” kriptomonedhën.

Nga Facebook në Telegram, postimet e reja në grupet e kripto-kriptove online të rajonit u dominuan nga kosovarët e tronditur që përpiqeshin të shisnin pajisjet e tyre, madje edhe me çmime të ulëta.

“Ka shumë panik dhe ata po i shesin ose po përpiqen t’i transferojnë në vendet fqinje”, tha cryptoKapo, një investitor dhe administrator nga rajoni i Ballkanit, shkruan “The Guardian”.

Investitorët, që raportohet se në numër janë mbi 10 mijë në Kosovë, janë të shqetësuar tejmase me situatën e krijuar.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar këtë veprimtari, pasi sipas tyre mund të ndikojë në përmirësimin e situatës me krizën energjetike, duke marrë parasysh se kriptovalutat harxhojnë shumë.

Por, “The Guardian”, thekson se Kosova është një prej shteteve më të varfra në botë, që në anën tjetër, paguan energjinë elektrike për komunitetin serb në pjesën veriore, ku po ashtu kryhet me të madhe kjo veprimtari.

Mediumi i njohur përmend edhe operacionet e Policisë së Kosovës për t’i konfiskuar pajisjet për prodhimin e kriptovalutave, ku janë sekuestruar qindra të tilla.

“Ka shumë njerëz që kanë investuar në pajisje për kriptovalutat dhe nuk është investim i vogël. Njerëzit kanë marrë edhe kredi për të investuar dhe kjo po ndikon shumë keq në jetët e tyre”, ka thënë cryptoKapo, përcjell Demokracia.com.

Qeveria e Kosovës është kritikuar shumë për vendimin e marrë në fillim të vitit 2022, pasi që kjo nuk është mënyra më e duhur për t’u përballur me krizën energjetike.

Kosova e ka përjetuar më së rëndi krizën që ka goditur shumë vende të Evropës, pasi Qeveria aktuale ka refuzuar projekte të ndryshme për prodhimin e energjisë.

Në anën tjetër, blloku “B-2” i termocentralit Kosova B, ka rënë nga sistemi. Për këtë, Qeveria ka sjellë nga Gjermania një ekspert të cilin e paguan mijëra euro në ditë për ta rregulluar problemin, por deri më tani nuk është konfirmuar se blloku “B-2” është totalisht në funksion.