Qendra Kërkimore e Komisionit Evropian

Thatësira në Evropë mund të jetë më e keqja në 500 vitet e fundit, vendet më të prekura

Qendra Kërkimore e Komisionit Evropian (KE-JRC) ka paralajmëruar se thatësira aktuale mund të jetë më e keqja në 500 vitet e fundit.

Dhe ka parashikuar që thatësira e madhe do të përkeqësohet në Evropë, duke arritur potencialisht 47% të kontinentit.

Parashikimet u njoftuan nga studiuesi i lartë Andrea Toreti në një konferencë për shtyp në internet të martën pasdite.

“Nuk e kemi analizuar plotësisht fenomenin, sepse është ende në vazhdim, por në bazë të përvojës time mendoj se kjo është ndoshta edhe më ekstreme se viti 2018”, tha ai.

Toreti tha se zonat e prekura nga thatësira dhe mungesa e ujit do të shtohen dhe se nëse nuk merren masa efektive zbutëse ky intensitet dhe frekuencë do të rritet në mënyrë dramatike në Evropë, si në veri ashtu edhe në jug.

Italia – në veçanti lumi Po – është ndër më të prekurit , si dhe Franca jugore dhe zona të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë.

Franca është në mes të valës së saj të katërt të të nxehtit të vitit: qeveria thotë se temperaturat në rritje dhe mungesa e shiut po shkaktojnë thatësirën e saj më të keqe në histori. Meteo France thotë se vala e të nxehtit që filloi në jug pritet të përhapet në të gjithë vendin dhe të zgjasë deri në fundjavë.