Dhomat e Specializuara

Thaçit e Veselit u vazhdohet masa e paraburgimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vazhduar masën e paraburgimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, janë marrë nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III më 16 tetor 2023, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Mbrojtja e Thaçit thuhet se ia kishte dorëzuar përgjigjet e tyre për këtë parashtresë më 29 shtator 2023, ndërsa ajo e Veselit më 5 tetor 2023.

ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi ndaj Thaçit vazhdon të jetë i arsyetuar dhe se nuk ka asnjë ndryshim që nga vendimi i fundit për parashkrim të kësaj mase, si dhe ajo mbetet proporcionale.

Këtë gjë e kishte kundërshtuar mbrojtja e Thaçit.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë thuhet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.

Kështu, thuhet se masa e paraburgimit zbutë rreziqet ekzistuese të komunikimit dhe ofrojnë garanci të fortë kundër vizitave të pamonitoruara dhe komunikimet me anëtarët e familjes dhe vizitorët tjerë.

Nëpërmjet këtij vendimi, DHSK ka udhëzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqes parashtresat për shqyrtimin e radhës të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit jo më vonë se më 24 nëntor 2023.