Presidenti Thaçi

Thaçi ushtarëve të FSK-së: I tërë populli i Kosovës shikon kah ju (VIDEO)

(I plotësuar) – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të fjalimit të tij ka thënë se të gjitha forcat politike në vend janë unike që të nxjerrët vendimi i merituar, që FSK-ja edhe me ligj të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të transformohet në ushtri profesionale.

“Deputetët e Parlamentit të Kosovës, në mënyrë solemne do të marrin vendimin për këtë proces. Forca e Sigurisë e Kosovës është zhvilluar në një forcë profesionale, e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, me përbërje shumetnike dhe me përfaqësim meritor gjinor. Përfshirja e çdo komuniteti në Forcën e Sigurisë të Kosovës e dërgon mesazhin më të mirë të mundshëm. Tregon vlerat dhe parimet e shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, FSK-ja është institucioni më i besuar për qytetarët e Kosovës, prandaj si President dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës është krenar për arritjet dhe sukseset e tyre.

“I jam mirënjohës secilit prej jush për kontributin e vazhdueshëm që keni dhënë, që të arrijmë deri këtu”, tha ai.

Thaçi: FSK-ja është e gatshme për rol dhe mision të ri

(I plotësuar) – Presidenti i Kosovës në fjalimin e tij para ushtarëve të FSK-së ka theksuar se pas demilitarizimit, i krijuam Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pastaj me ngritjen e nivelit të përgatitjes, u avancuam në Forcë të Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se ky ishte një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të të gjithë qytetarëve të vendit tonë.

“Pesë vite më parë, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, me të drejtë u arrit në përfundim se FSK-ja është e gatshme për rol dhe mision të ri. Për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ju gjithmonë keni qenë de fakto, ushtarë dhe FSK–ja, ushtria e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Komandanti Suprem: Kosovë, urime ushtria!

(I plotësuar) – Para shumë ushtarëve dhe eprorëve të lartë të FSK-së, Thaçi ka thënë se rrugëtimi i FSK-së simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë, duke dëshmuar se kemi kaluar nëpër sfida deri më sot, por duke arritur qëllimin.

“Kosovë, urime ushtria. Sot, ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me dinjitet e krenari po e përfaqësoni Kosovën kudo nëpër botë. Rezultatet e juaja janë të shkëlqyera. Ju po arrini suksese në gara ndërkombëtare, përkrah ushtrive të vendeve më profesionale dhe më të fuqishme të botës. Me punën tuaj, me sukseset tuaja, populli ynë krenohet çdo ditë”, ka thënë ai.

Thaçi: Ushtria e Kosovës, meritë e ushtarëve dhe çdo qytetari

(I plotësuar) – Presidenti Thaçi ka thënë se vendimi për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë, është më së shumti meritë vetë ushtarëve të FSK-së.

“Sot çdo qytetar i vendit duhet të ndjehet krenar. Sot jam në mesin tuaj, për t’ju falënderuar juve në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Jam sot këtu edhe për t’i uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për ushtrinë tonë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi me uniformën ushtarake të Komandantit Suprem inspekton ushtarët

Vetëm një ditë para ndryshimit të mandatit të FSK-së në ushtri të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka inspektuar ushtarët e FSK-së dhe ka mbajtur një fjalim para tyre.

Por, e veçanta e këtij inspektimi, ishte veshja ushtarake e Presidentit të Kosovës. Ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës, Thaçi kishte veshur uniformën ushtarake, duke u paraqitur si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Para rreth 400 ushtarëve të FSK-së, Thaçi ka thënë se ushtarët këto ditë po i përjetojnë më ndryshe dhe me emocione të fuqishme. Kjo, sipas tij, është e kuptueshme, sepse kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek momenti dhe vendimi i shumëpritur.

“Ky proces po rrjedh natyrshëm si rezultat punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm. Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë sonë. Ushtria e jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Thaçi.