Thaçi: U bënë 20 vjet dhe ende nuk është i qartë fati jetësor i profesorit Ukshin Hoti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar 20 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka kujtuar në 20-vjetorin e zhdukjes veprimtarin e çështjes kombëtare dhe intelektualin Ukshin Hoti.

Thaçi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë që Hoti ishte një njeri “jokonformist i radhitur nga zëri dhe ideali i popullit që i përkiste”.

Statusi i plotë i Thaçit:

U bënë njëzet vjet dhe ende nuk është i qartë fati jetësor i profesorit Ukshin Hoti, njërit prej intelektualëve më atdhetarë të Kosovës.
Ukshin Hoti ishte njeri jokonformist, i radhitur nga zëri dhe ideali i popullit që i përkiste.

Në vitin 1981, si rrallëkush nga elita intelektuale, në mënyrë shkencore arsyetoi dhe mbrojti kërkesën për Republikën e Kosovës.
Ukshin Hoti u dënua me burg nga gjyqet jugosllave.

Shquhej për guxim intelektual, temperament autentik dhe i gatshëm për të reaguar në çdo kohë për të drejtën dhe lirinë e Kosovës.

Ishte nga intelektualët e pakët që në mënyrë programatike kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai u riburgos në periudhën më të rëndë gjatë viteve 90-të të shekullit që shkoi dhe përjetoi persekutime të mëdha burgjeve të Serbisë dhe së fundmi në Kosovë.

Fatkeqësisht ende nuk dihet se ç’ndodhi me profesorin Ukshin Hoti pas lëshimit nga burgu i Dubravës më 16 maj 1999. HTH