Thaçi takon kryeministrin bullgar në aeroportin e ri të Turqisë (FOTO)

Presidenti Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Pacolli, po qëndron në Stamboll për hapjen solemne të aeroportit të ri.

Ceremonia e hapjes së fazës së parë, gjatë së cilës do të shërbehen 90 milionë pasagjerë në vit, do të fillojë në orën 16:00 me kohën e atjeshme, me një koncert të Orkestrës Simfonike të Presidencës së Turqisë.

Por, gjatë kësaj kohe, hapësira e aeroportit të ri është shndërruar në një mulilaterale, kur përfaqësuesit e shteteve po takohen me njëri-tjetrin.

Në foto shihen se Thaçi e Pacolli janë duke pritur në një vend me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov.

Sipas të dhënave të mediave turke, në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë të ftuar të shumtë të huaj, në mesin e të cilëve gjenden edhe krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe ministra të transportit. Deri më tani, siç njoftohet, mbi 50 zyrtarë të lartë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që ceremonia do të ndiqet në mbarë botën.

Aeroporti është ndërtuar në një hapësirë prej 76.5 milionë metra katrorë, ndërsa për hapjen e fazës së parë janë investuar gjashtë miliardë euro.

Ndërkaq, faza e dytë pritet të përfundojë deri në vitin 2023. Për ndërtimin e aeroportit, i cili do të jetë më i madhi në botë, janë angazhuar rreth dhjetë mijë punëtorë.

Pas përfundimit të punimeve, aeroporti do të përbëhet nga gjashtë pista të ndara me një kapacitet për 500 avionë, parking të hapur dhe të mbyllur me kapacitet për 70 mijë automjete dhe në vit do t’u shërbejë 200 milionë pasagjerëve.