Presidenti

Thaçi ‘shuplakë’ liderëve në Kosovë: Jemi shumë të vegjël t’i themi ‘jo’ letrës së Trumpit

Pas takimit të liderëve të shteteve të Ballkanit perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së në Bruksel, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media.

Thaçi ka treguar pikat të cilat janë diskutuar në takim duke thënë se janë përshëndetur shumë nga zhvillimet e fundit në Kosovë si ai votimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Gjithashtu, Thaçi ka thënë se Kosova ka marrë mbështetje që të përshpejtojë procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Liderët e rajonit kanë mbështetur një marrëveshje përfundimtare me shtetin serb e cila do të përfundonte me njohje reciproke të dy shteteve mes tyre. Pas kësaj marrëveshje, do të sigurohet stabiliteti i rajonit dhe Kosova do të pranohet si shtet edhe nga 5 vendet e Bashkimit Evropian. Kjo do t’i hapë Kosovës dyert për një të ardhme si anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare” ka thënë Thaçi, raporton Ballkani.info.

Ndër të tjerash, Thaçi ka thënë se duhet që grupi negociator të mobilizohet pasi që Kosova është në një kohë të përshtatshme për arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe ky rast siç është cekur edhe në letrën e Presidentit Trump dërguar Thaçit, duhet të shfrytëzohet.

Tutje, ai ka thënë se kjo letër e presidentit Trump, paraqet pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara dhe në Kosovë liderët janë të vegjël t’i dalin kundër measzhit të Trumpit.

“Nuk besoj se ka lider në Kosovë që i thotë jo kësaj letre. Duhet të kemi parasysh se mesazhi i Presidentit Trump paraqet pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, andaj në Kosovë jemi shumë liderë të vegjël që ti dalim kundër letrës së presidentit Trump” ka përfunduar Thaçi. /Ballkani.info/