Thaçi për Tallën, Durmishin e Maliqin: Kosova humbi dy veprimtarë të shquar dhe një intelektual

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në organizimin e Akademisë Përkujtimore në 20 vjetorin e heroit Hyzri Talla dhe bashkëluftëtarëve të tij, Afrim Maliqi dhe Ilir Durmishi, e cila u organizua nën patrionatin e tij.

Ai para të pranishmëve tha se para 20 vjetësh, Kosova ka humbur dy veprimtarë të shquar dhe një intelektual në moshën më të mirë krijuese.

Thaçi po ashtu ka thënë se këta heronj iu kundërvënë dhunës sistematike, ndjekjes, burgosjes dhe vrasjeve të shqiptarëve, të ushtruar nga regjimi okupues i Beogradit.

“Rezistenca civile, artikulimin më të mirë e arriti përmes organizatës politike dhe ushtarake të dalë nga populli, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja në radhët e saj bashkoi njerëzit më të përkushtuar dhe më të gatshëm për të luftuar kundër aparatit policor, ushtarak dhe administrativ të Serbisë. Në vitin 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcuar dhe zgjeruar në gjithë Kosovën. Në ofensivat e verës dhe vjeshtës 1998, UÇK-ja u dëshmua një guerile moderne, e pathyeshme dhe e vendosur në qëllimin madhor, çlirimin e Kosovës. Luftëtarët e lirisë dhe populli ishin bërë një, pavarësisht çmimit dhe sakrificës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se një prej luftëtarëve të paepur ishte edhe Hyzri Talla, i cili kishte një përvojë organizimi në organizata patriotike, që nuk e ndalën asnjëherë veprimtarinë kundër okupimit të Kosovës.

“Në kuadër të Zonës Operative të Llapit, Hyzriu kreu me nder dhe përgjegjësi detyra të rëndësishme. Ditën e 2 dhjetor 1998, Hyzri Talla ishte brenda në Prishtinë në krye të misionit të tij si epror i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Bashkë me Hyzriun ishte Ilir Durmishi, një veprimtar i përkushtuar për të kontribuar me tërë energjitë e tij. Me ta ishte edhe gazetari i talentuar, Afrim Maliqi, shok i idealit të tyre. Vrasja në pritë e këtyre tre veprimtarëve ishte tregues se çfarë rreziku po paraqiste Ushtria Çlirimtare e Kosovës për segmentet e pushtuesit: në fronte, në istikame, në qendra urbane dhe kudo tjetër në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

“Për shkak të vendosmërisë, vizionit, orientimit kah vlerat e demokracisë perëndimore, lufta dhe qëndresa e popullit të Kosovës u kurorëzua me sukses. Kosova u mbështet nga bota demokratike, nga SHBA-ja, nga shtetet e BE-së dhe NATO-ja, duke arritur çlirimin dhe lirinë e ëndërruar nga shumë breza.

Sivjet Kosova kremtoi 19 vjetorin e çlirimit dhe 10 vjetorin e pavarësisë. Pas realizimit të dy objektivave të mëdha, çlirimit dhe pavarësisë, Kosova e ka të qartë edhe objektivin e tretë, integrimin në institucionet euroatlantike, në BE, NATO dhe OKB”, ka shtuar ai.