Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë një konference për media ka folur edhe rreth deklaratës së sotme të senatorit amerikan, David Perdue, i cili përmes një postimi në Twitter tha se nëse Kosova nuk është e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA duhet të shqyrtojë praninë e trupave aty.

Thaçi ka thënë se raporti me SHBA nuk do të mbetet pre e hujeve dhe tekeve apo aspiratave të një politike të ngurtë dhe elektorale ditore.

Tutje Thaçi ka thënë se të gjithë liderët e Kosovës janë të zëvendësueshëm, ndërsa partneriteti me SHBA-në është i përjetshëm.

“Unë jam president i vendit dhe do të kultivojë unitetin politik dhe qytetarë, nuk dëshirojë të interferojë në procese të politikës ditore as atyre elektorale dhe as populiste. Ne duhet të marrin vendime të interesit jetik për vendin dhe për shoqërinë dhe të interesit që dalin përtej potezave apo lëvizjeve që mund të sjellin duartrokitje elektorale. Raporti me SHBA-në duhet të kultivohet dhe është i përjetshëm është një raport special. Mendoj dhe kam besim të plotë që raporti me SHBA nuk do të mbetet pre e hujeve dhe tekeve apo aspiratave të një politike të ngurtë dhe elektorale ditore, por do të kemi në fokus të vendimmarrjeve të shpejta të qarta të kultivimit dhe forcimit të partneritetit me SHBA. Ritheksoj ne të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm, ndërsa partneriteti me SHBA-në është i përjetshëm”, ka thënë Thaçi.