Thaçi: Ngjarjet në Bosnjë tregojnë se Asociacioni i komunave serbe nuk duhet të themelohet

Analisti Jusuf Thaçi ka thënë se një marrëveshje Kosovë-Serbi që do të krijonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Thaci merr si shembull ngjarjet në Bosnjë e Hercegovinë, ku serbët kanë filluar procedurat për ndarje nga autoritetet qendrore.

Ai shton se një marrëveshje e tillë nuk do të krijonte normalizim të raporteve mes dy shteteve, por do të krijonte probleme të reja.

“Një marrëveshje e tillë ku krijohet Zajednica apo Asociacioni me kompetenca ekzekutive do të krijonte probleme të reja. Nuk do të ishte marrëveshje që do të krijonte stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve. Në fakt do të ishte krejt e kundërta. Do të krijoheshin probleme të tjera. Kush jep garanci që shteti i Serbisë do të sillej si me Bosnjën edhe Kosovën dhe do të krijonte një precedent tjetër për bllokim të institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.

Tutje ai thotë se në marrëveshjen finale duhet të zgjidhen të gjitha problemet, që gjeneratat e reja të mos kenë probleme sa i përket marrëdhënieve me fqinjët.

“Të mos ia trashëgojmë fëmijëve tanë problemin me Serbinë”, shtoi Thaci.