Presidenti Hashim Thaçi ka vizituar sot Qendrën e Studentëve e cila është shndërruar në karantinë për të gjithë kosovarët që kthehen nga shtetet e jashtme.
Ai ka thënë se është shumë i kënaqur që Kosova ka vënë të gjitha kapacitetet shtetërore në shërbim të përballjes me koronavirusin.
“Më vjen mirë që shoh të gjitha kapacitetet e shtetit të Kosovës që janë vënë në shërbim të përballjes me koronavirusin. Qendra e Studentëve është kthyer në karantinë për qytetarët e Kosovës të ardhur nga jashtë për të mirën e atyre që kthehen, familjeve të tyre dhe të mirën e shëndetit të tërë shoqërisë”.
“Ajo që dëgjova këtu është me të vërtetë inkurajuese, por natyrisht se duhet të ketë gjithnjë e më tepër disiplinë”.
“Ndërsa, përderisa vizitova Qendrën e Studentëve edhe të autorizuarit e IKSHPK-së, por edhe ata të Qendrës së Mjekësisë Familjare, është jashtëzakonisht inkurajuese gjithë ky potencial, vullnet dhe kjo punë e shkëlqyer për përballimin dhe evitimin e çdo rasti të ri që mund të paraqitet në Kosovë”.
“Para dy ditësh kam vizituar QKUK-në ku ishte një mobilizim i tërësishëm, dje Qendrën e Mjekësisë në FSK dhe sot këtu Qendrën e Studentëve të shndërruar në karantinë ku edhe nga drejtori dhe mjekët u informova për të gjitha rrethanat që janë krijuar, mundësitë dhe kapacitetet që po i shfrytëzojnë”.
I pari i vendit ka thënë se institucionet e vendit duhet të japin mbështetjen e tyre në luftimin e koronavirusit, derisa ju ka bërë sërish thirrje të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, njofton Klan Kosova.
“Mendoj se ne të gjithë, si institucione, duhet të vazhdojmë të japim mbështetje shumë të fuqishme me të gjitha potencialet që kemi – që deri tani nuk ka munguar, dhe jam shumë i inkurajuar me punën që po bëhet”.
“Mesazhi im si president i vendit dhe qytetar i Kosovës që të preventohet e keqja në këtë betejë me të keqen është: rrini në shtëpi, qytetarë të nderuar. Kujdesuni për veten, familjen dhe shoqërinë. Rrini në shtëpi. Ky është mesazhi më i mirë dhe më i urtë. Rrini në shtëpi, kujdes maksimal – pa panik dhe frikë”.






