Presidenti, Hashim Thaçi ka thënë se ndihet krenar që ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së.
“Qytetarët e Kosovës nuk e kanë filluar luftën pse e kanë dashur luftën, lufta është e tmerrshme dhe nuk kam dëshirë të shoh lajme për luftën sepse e kam përjetuar. Unë personalisht ndihem shumë krenar që jam një nga bashkëthemeluesit e UÇK-së. Përmasat e dhunës së Serbisë janë në përmasa të gjenocidit dhe pastrimit etnik”, ka thënë Thaçi.
Tutje Thaçi ka kritikuar qasjen ndërkombëtare karshi zbardhjes së krimeve në Kosovë.
“Ndaj Serbisë po ndodh një amnisti e padrejtë ndërkombëtare në raport me gjenocidin dhe dhunën e Serbisë të kryer në Kosovë. Sot kemi më tepër të akuzuar shqiptarë sesa serbë, kur dihet që shqiptarët kanë qenë viktima”, tha ai.
Thaçi theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, por shtoi se ka pasur mundësi të ketë ndonjë individ që ka ‘thyer’ fisnikërinë e luftës.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e domosdoshme. unë nuk mund të them që ndonjë individ nuk e ka thyer fisnikërinë e luftës, unë mendoj që duhet të thirremi në përgjegjësi individuale, ndërsa lufta ka qenë e pastër dhe nuk ka ndodhë asnjë rast i dhunës ndaj popullatës civile dhe asnjë sulm ndaj monumente kulturore. Nuk ka ndodhur asnjë rast hakmarrje nga UÇK ndaj popullatës civile”, theksoi presidenti.
“Tendenca që viktima të bëhet agresor dhe agresori viktimë është e padrejtë, por jam i bindur që edhe këtë çmim do ta tejkalojmë me këtë proces jo të lehtë por faqebardhë”, shtoi presidenti.







