Thaçi: Ne njihemi si populli më pro amerikan, ndërsa tani nuk po e dëgjojmë SHBA-në

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një interviste në RTK, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe kërkesën zyrtare të SHBA-së për pezullimin e taksës.

Thaçi ka thënë se duhet të kujtojmë që pa mbështetjen e SHBA-së, nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur.

“Aktualisht gjendemi në një lloj paradoksi, pasi që Kosova njihet si populli më pro amerikan në botë, ndërsa tani kemi zgjedhur të mos dëgjojmë këshillat e SHBA-së”, ka thënë Thaçi, përcjell Ballkani.info.

Tutje, Thaçi ka thënë se beson që viti 2019 të jetë viti i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Sygjerimi i SHBA-së aktualisht për Qeverinë e Kosovës është pezullimi i përkohshëm i taksës, që t’i hapet rruga dialogut me Serbinë dhe të gjendet një zgjidhje solide në të mirë të dy vendeve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka theksuar se taksa ka qenë incidentale dhe vendim i pamenduar mirë, duke thënë se ai beson se qytetarët e Kosovës më shumë i duan SHBA-të sesa një dëm incidental ndaj Serbisë. /Ballkani.info