Thaçi: Ku e ka hallin Borrell? Kosova po arreston kriminelë, FSK po parakalon në territorin e shtetit të vet

Analisti Jusuf Thaçi e ka konsideruar skandaloze deklaratën e sotshme të shefit të politikave të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ai ka thënë se arrestimet e Policisë së Kosovës po bëhen në përputhje me të gjitha procedurat ligjore dhe jo siç tha Borrell, se po bëhen duke shpërfillur procedurat gjyqësore.

Po ashtu, Thaçi thotë se FSK po marshon në territorin e Kosovës. Ai e ka pyetur Borrellin se çfarë halli ka.

“Policia e Kosovës po arreston të dyshuar për sulme ndaj KFOR-it, ndaj Policisë dhe ndaj gazetarëve, për të cilët ka fakte e prova të forta (foto e video). Arrestimet po bëhen në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Në anën tjetër, FSK-ja po parakalon në territorin e Kosovës, pra në vendin e vet. Ku e ka hallin z. Borell? Çka nuk do të tolerojë ai? Arrestimin e kriminelëve? Parakalimin e FSK-së brenda Kosovës?”, ka shkruar Thaçi.

Siç ka thënë Thaçi, Kosova duhet të tërhiqet nga dialogu nëqoftëse deklaratat e Borrell janë qëndrime të BE-së.

“Shpresoj që ky qëndrim i z. Borell nuk është edhe qëndrim i BE-së! Nëse po, atëherë Kosova duhet të tërhiqet urgjentisht nga i ashtu-quajturi dialog i ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar në fund ai.

Borrell ka reaguar sot për situatën në veri, duke thënë se është shumë i alarmuar si dhe duke kritikuar Kosovën për arrestimet dhe marshimin e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.

“Shumë i alarmuar rreth situatës në veri të Kosovës: Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe marshimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut; pasuar nga retorika e ashpër e Serbisë. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, ka shkruar ai në Twitter. /GazetaExpress