Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për tre ditë rradhazi është duke u intervistuar në Gjykatën Speciale në Hagë, pas aktakuzës së propozuar ndaj tij, lidhur me pretendimet për krime lufte. Kjo është bërë lajm edhe në mediat botërore, që siç duket po e përcjellin shum këtë ngjarje.
Presidenti Thaçi ka arritur të hënën në Hagë, ndërsa intervistimi i tij do të vazhdojë edhe sot nga ora 13:00.
Kjo ngjarje po përcjellet nga mediat anë e mbanë botës si Reuters, EuroNews, ABC, The National e shumë të tjera, të cilat siç duket i kanë kushtuar shumë rëndësi vizitës së tij në Hagë.

“Presidenti Thaçi takon prokurorët për të diskutuar aktakuzat ndaj tij”, shkruan Reuters.

“Askush s’mund ta rishkruajë historinë, thotë Thaçi”, thuhet në në artikullin e ABC.
Këto media po ashtu raportojnë edhe rreth publikimit të aktakuzës vetëm tre ditë para takimit të rëndësishëm në SHBA, madje e njëjta doli pikërisht në kohën kur Presidenti po udhëtonte atje.
Thaçi në SHBA pritej të takohej me presidentin serb Aleksandar Vucic, nën ndërmjetësimin e emisarit Richard Grenell.
Kujtojmë edhe një herë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën ndaj Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, disa javë më parë.
Thaçi dhe Veseli pretendohet të kenë kryer krime kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Përveç tyre akuzohen edhe disa persona të tjerë, por që nuk janë bërë të ditur emrat e tyre.
Vlen të theksohet se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.
Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë Bardhë që pritej të fillonin më 27 qërshor.







