Thaçi i përgjigjet Haxhiut: Ke zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike, ministrja ishte e njoftuar mandatin e kaluar për dhënien me qira të pronës

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi ka reaguar pas akuzave të cilat i janë bërë nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Thaçi në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se Haxhiu ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike dhe se ministrja ishte e njoftuar mandatin e kaluar për dhënien me qira të pronës.

“Ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike. Unë jam profesionist dhe nuk merrem me politikë.

Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm.  Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë proces , Ministrja ka qenë e njoftuar ne mandatin e kaluar dhe e cila ka pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone”, ka thënë Thaçi për Telegrafin.

Sipas tij, ky proces i nisur për te mirën e Shërbimit korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro.

“Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe te arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se  është e detyruar që të dërgoj ne komision disiplinor. Kërkoj nga ajo qe këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë. Po ashtu ftoj të gjithë gazetarët që ta marrin lëndën e ankandit dhe ta publikojnë në tërësi”, tha ai.