Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po ndëshkohet, diskriminohet dhe poshtërohet nga Bashkimi Europian për çështjen e mosliberalizimit të vizave.

“Kosova po trajtohet padrejtësisht nga Bashkimi Europian duke mos marrë vendim për liberalizimin e vizave madje deri në elemente raciste. Kam kërkuar nga Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Emmanuel Macron që të marrin iniciativë për një reflektim pozitiv tek autoritete e tyre”, tha Thaçi në Zonë B, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Neve na duhet vendimi për të lëvizur lirshëm”.

“Pas mesazheve tona të qarta besoj se Merkel edhe Macron do të reflektojnë. Ndërsa është shqetësues akti nëse dikush pretendon që heqjen e taksës ta qet si kusht për liberalizimin e vizave. Ky është kusht i papranueshëm për ne, do ta refuzojmë”.

“Nuk duhet të flasim për javë apo muaj, duhet të jemi të kujdesshëm, por jam i sigurt se vendimi do të ndodhë gjatë këtij viti”.