Ish-diplomati, Ylber Hysa, ka treguar detaje interesante rreth marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.

Në ciklin e emisioneve “Rubikoni i Jetës”, ai ka treguar për negociatat që ka zhvilluar Hashim Thaçi me diplomatët perëndimorë.

Duke dhënë detaje të padëgjuara deri me tani, Hysa ka treguar për komunikimin e Hashim Thaçit me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Sipas tij, ata kishin zhvilluar një bisedë telefonike në një tendë të improvizuar.

“Në kohën kur është arritur marrëveshje a Kumanovës, kam qenë pjesë e një misioni i cili ka involvuar direkt diplomacinë amerikane dhe britanike dhe shërbimet e tyre të cilët kanë ardhur që ta bëjnë marrëveshjen e njohur me UÇK-në, ajo që praktikisht i hapi rrugë transformimit të mëvonshëm të UÇK-së në armatë, krijimit të një lloj partneriteti”, ka thënë ai, duke vazhduar me detaje tjera.

“Është shumë interesante mënyra se si ka ndodhur, kjo ishte një marrëveshje e cila e involvoi në një moment daljen nga shatori i zotit Rubin, Hashim Thaçit dhe meje ku praktikisht u bë një mini-negociatë, u tha se zotëri Clinton po e priste në bisedë në telefon Hashim Thaçin nëse ai nënshkruante. Kishte një dallim në kuptimin se si perceptohej në gjuhën shqipe, një formulim legalo-gjuhësor domethënë, dhe kjo ishte shumë interesante”, është shprehur Hysa.

Ndër të tjera, ai ka treguar kushtin me të cilin Thaçi e kishte pranuar këtë marrëveshje.

“Thaçi pranoi me kushtin që të nesërmen Rubin t’i parakalonte rrugët e Prishtinës me zotërinë Thaçi, në një tendë të improvizuar e cila kishte establishmente telefonike dhe aty në prezencën time Thaçi ka folur me Clinton, i ka thënë që e ka bërë këtë gjest në emër të paqes dhe perspektivës për ta ndërtuar një bashkëpunim”, ka thënë Hysa.