Teuta, Kukësi dhe Laçi kalojnë në raundin tjetër të Ligës së Evropës pas fitoreve të sotme

Tri klube nga Superliga e Shqipërisë kanë shënuar sukses gjatë ndeshjeve të raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës, pasi me fitore kanë siguruar kalimin në raundin e dytë.

Teuta e Durrësit ishte klubi i parë shqiptar që gjatë ditës së sotme siguroi kalimin në raundin tjetër pas fitores 2-0 ndaj Beitar Jerusalem të Izraelit.

Golat në këtë fitore të durrsakëve i shënuan Blerim Krasniqi (6’) për 1-0 dhe Ruben Hebaj (87’) për rezultatin përfundimtar 2-0.

Fitore shumë të madhe, por edhe të vështirë arriti Kukësi që mposhti me rezultat 2-1 ekipin nga Bullgaria, Slavia Sofia.

Kukësi kaloi i pari në epërsi me anë të Patrick Friday (52’) nga penalltia për 1-0, mysafirët barazuan me anë të Kaloyan Krastev (81’) për 1-1, ndërsa Godberg Cooper (85’) shënoi golin e fitores 2-1.

Klubi i i tretë shqiptar që siguroi kualifikimin në raundin e dytë është Laçi, i cili mposhti në udhëtim ekipin nga Azerbajxhani, Keshla.

Loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllen me rezultat të barabartë 0-0, ndërsa ekipi i Armando Cungut u tregua më i saktë në penallti, duke fituar ndeshjen.