Testi i maturës – Nga 12 nxënës në klasa, rezultatet publikohen në shtator

Nesër, e shtunë, në orën 10:00 do të fillojë testi i maturës në të gjitha shkollat e Kosovës.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet paraprake, kurse rezultatet e këtij testi do të bëhen publike më 7 shtator. 

“Përgatitjet janë bërë sepse testi ishte planifikuar fillimisht të mbahej më 4 korrik. Shtyrja e testit ndodhi për shkak të rrethanave me pandeminë dhe me kërkesë të IKSHPK-së. Tash kemi zvogëluar numrin e nxënësve nëpër klasa. Nxënësit duhet t’i mbajnë maskat”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Më tej, Elezi shtoi se ditën kur do të mbahet testi nga 12 nxënës do të jenë në një klasë.

Nga aspekti përmbajtësor, Elezi tha se ka pak ndryshime prej viteve të kaluara.

“Këtë vit do të përgjysmohet vetëm numri i pyetjeve. Çdo lëndë ka nga 25 pyetje”, tha ai.

Ai shtoi se nëse nxënësit do të zihen me telefona gjatë testimit, do të përjashtohen.