Tërmkolli, Albulena Haxhiut: Kush je ti ta çosh Haradinajn në burg?

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në emisionin Pressing të T7, i ka thënë deputetes së zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, se kush je ti ta çosh në burg kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn?

Deputetja Haxhiu dje ishte e ftuar në emisionin DPT te Fidani në T7, ku premtoi të dërgojë në burg disa figura politike nëse bëhet ministre e drejtësisë, e në mesin e tyre edhe kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn.

“E keni dëgjuar mbrëmë Albulena Haxhiun, është niveli më i lartë i një absurditeti. Një politikan që duket sikur do të dalë nga studio ta çojë Ramushin në burg… Kush je ti? Kjo nuk është detyrë e politikanit, ta burgosë dikë”, është shprehur Tërmkolli në Pressing.

Tutje, Tërmkolli tha se Vetëvendosje nuk është fituese absolute e zgjedhjeve dhe nuk duhet të sillet si e tillë me LDK’në.

“Vetëvendosja nuk është fituese absolute që t’i qaset LDK’së si e tillë. Është fituese e zgjedhjeve por jo t’i qaset LDK’së si fituese absolute e zgjedhjeve”, ka thënë Tërmkolli.

E për situatën aktuale mes LDK’së dhe VV’së, Tërmkolli tha se është bërë pazar.

“Këtu më s’kemi të bëjmë me interesa politike të shtetit, këtu është bërë pazar”, shtoi Tërmkolli.