Tërmeti apokaliptik, Xhaçka i përgjigjet Metës

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje këtë të mërkurë presidentit Ilir Meta lidhur me shqetësimin e tij për një tërmet apokaliptik në Ballkan.

Në përgjigjen që ka mbërritur zyrtarisht në institucionin e Presidencës, Ministrja thotë se parashikimi i tërmeteve është përtej mundësive të shkencës.

“Pas konsultimeve edhe IGJEUM, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, parashikimi i tyre është i pamundur”, thotë Xhaçka, e cila shton gjithashtu se sizmiologu Tsentelis e përgënjeshtroi lajmin e rremë që u bë shkas për shqetësimin e Presidentit.

Ministrja thekson se Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ka vëmendje maksimale ndaj fatkeqësive natyrore. Ajo thotë se sot institucionet janë më të përgatitura se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat.

“Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i jashtëzakonshëm dhe se koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë“, thotë ajo.

Sipas ministres, mënyra sesi qeveria përballoi tërmetin në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve të bëra, shkruan TvKlan.

Më tej, Xhaçka thotë se shprehja më e qartë e seriozitetit të punës është ligji “Për Mbrojtjen Civile” dhe i kujton Metës se ky ligj po pret dekretimin nga ana e tij.

Ajo thotë se ligji, asistuar nga ekspertë vendas e të huaj transformon qasjen ndaj emergjencave. “Ligji “Për Mbrojtjen Civile” zhvendos fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Dekretoni ligjin, jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore“, shprehet Ministrja e Mbrojtjes.

loading…