Tërmet apokaliptik në Ballkan? Ilir Meta letër institucioneve

Në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, zëvendës kryeministrit Erion Braçe dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëron se një tërmet apokaliptik do të godasë Ballkanin.

Meta në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore, nisur nga deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis,

“Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Evropë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Meta.

Duke shtruar disa pyetje për këtë çështje, Meta kërkon informacion për paralajmërimin dhe për masat e mundshme, ndërsa thotë se është i gatshëm të mbledhë edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

LETRA E PLOTË

Të nderuar,
Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.
Presidenti i Republikës
Ilir Meta

loading…