Tentoi t’i ikë Policisë duke transportuar mish përmes rrugëve ilegale, arrestohet 50 vjeçari

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare, DRK-Veri, gjatë patrullimit në brezin kufitar Kosovë-Serbi kanë vënë re një kombi Mercedes të me targa serbe, që dyshohej se kishte shfrytëzuar rrugën e cila nuk është e autorizuar për kalim kufiri.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari kishte tentuar t’i ikë Policisë.

“Pas veprimeve aktive operacionale, Policia ka arritur që në hyrje të Leposaviqit ta ndaloj automjetin e dyshuar dhe gjatë kontrollit është identifikuar edhe ngasësi i automjetit i dyshuari mashkull/s me iniciale R.K. (1973).”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë realizimit të kontrollit është konstatuar se me automjet po transportoheshin “mbi 3700 kilogram mish të ndryshëm, në vlerë mbi 20 mijë euro dhe nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e mallit .”

Policia bën të ditur se automjeti është përcjellë dhe iu është dorëzuar autoriteteve kufitare në Leposaviq për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.