Tentoi të futet në uzinën e Gramshit bashkë me dy rusët, zbulohet identiteti i ukrainasit

Vijon të jetë e mbuluar me mister ngjarja e mbrëmjes së kaluar në Gramsh. Tre shtetas të huaj tentuan të futen në uzinën e përpunimit të armëve. Pasi u pikasën, ata sulmuan ushtarët duke lënduar dy prej tyre.

Menjëherë pas incidentit policia arrestoi të huajt. Të arrestuarit janë 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin 23-vjeç. Për hetuesit ata kanë thënë se janë blogerë dhe se po fotografonin zonën, duke mohuar të kenë lidhje me spiunazhin rus.

Mes të arrestuarve është edhe një ukrainas. Abcnews ka mësuar identitetin e ukrainasit. Bëhet fjalë për Fiodor Mihailoviç.

Mbrëmjen e djeshme ushtarët shqiptarë kanë pikasur lëvizje të dyshimta tek 3 persona të cilët kanë tentuar të hyjnë fshehurazi në Uzinë, dhe janë afruar për t’i larguar.

Në momentin që janë afruar ka patur një përleshje fizike mes tyre.

Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar ushtarakët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, gjendja shëndetësore e të cilëve u përmirësua më pas, pas transportimit në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ndërkohë dyshimet janë se tre të huajt  mund të jenë agjentë.

Megjithatë ata pretendojnë te jenë blogerë, që udhëtojnë nëpër botë dhe fotografojnë baza ushtarake të braktisura.