Gjatë prezantimit të projektit të Portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Roman, Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës për situatën që po ndodh në veri. Ai tha se qeveria e Kosovës ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare.

“Përshëndes Kryeministrat Kurti dhe Kovaçevski, e patën të pamundur të ishin këtu për shkak angazhimesh. Në rastin e Kurtit e keni parasysh që bëhet fjalë për situatën në veri, dhe kanë të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”- u shpreh Rama.

Në një reagim të mëparshëm Rama ka dënuar ashpër sulmin ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovë, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.

“Sulmet mbi EULEX-in në Kosovë janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë! Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese“, shkruan Rama në Twitter.