Tensione në Kuvendi e Shqipërisë për Kosovën, deputeti i PD-së kërkon qëndrim – Nikolla: Komente të tepërta

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Asllan Dogjani, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për sa i përket situatës në Kosovë.

Ai tha se situata në veri të Kosovës ka agravuar, ku përmendi kidnapimin e tre policëve nga forcat speciale të Serbisë.

“Në seancën e kaluar kam kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për sa i përket situatës në Kosovë, dhunës së ushtruar nga grupet paramilitare ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Sot, situata ka agravuar më tej. Forcat speciale të Serbisë janë futur në Kosovë dhe kanë marrë tre policë peng. Kemi kryeministrin e Shqipërisë i cili sillet si kryetar i OKB-së dhe nuk vjen këtu të japë informacione se çfarë platforme iu ka dërguar francezëve, gjermanëve për vëllezërit tanë në Kosovë”, tha Dogjani.

Atij iu ndërpre fjala nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se diskutimi i Dogjanit nuk është në procedurë, teksa komentet e tij i cilësoi si të tepërta.

“Edhe kjo nuk është në procedurë, ju lutem, e bëtë kërkesën tuaj. Tash, këto janë komente tepërta”, tha Nikolla.

Pas ndaljes së fjalës, Dogjani shkoi tek foltorja e kuvendit, ku insistoi ta vazhdojë fjalën, e cila më pas iu dha.

Me tej, Dogjani kërkoi që të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme të Shqipërisë, dhe në fund të seancës së kuvendit, Shqipëria të dalë me një qëndrim,

“Kërkoj të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme. Në fund të kësaj seance të dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë s’ka dalë akoma me një qëndrim dhe në fund të kësaj seance duhet të dalim patjetër me një qëndrim”, tha Dogjani.