Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese në qendër të Beogradit ka nisur protesta e re e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” për shkak të, siç pretendohet, vjedhjes së votave në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.
Në bulevardin “Mbreti Aleksandër”, ku ndodhet selia e Gjykatës Kushtetuese, është ndalur qarkullimi nga kryqëzimi me “Knez Milloshin” nga njëra anë dhe “Resavsa” nga ana tjetër, ndërsa qytetarët vijojnë të vijnë, transmeton Ballkani.info.
Të mbledhurit fishkëllenin për të shprehur pakënaqësinë e tyre për sjelljen e pushtetarëve në zgjedhjet e dhjetorit dhe mbanin parulla ku thuhej se zgjedhjet ishin të vjedhura.
Para selisë së Gjykatës Kushtetuese është vendosur një kamion me sistem zërimi, nga ku priten fjalimet e folësve në protestë.
Koalicioni “Serbia kundër dhunës”, i cili kërkon përsëritjen e zgjedhjeve republikane dhe të Beogradit të mbajtura më 17 dhjetor të vitit të kaluar, ka njoftuar gjithashtu nisjen e një kortezhi protestues në selinë e afërt të Radio-Televizionit të Serbisë (RTS). RTS, sipas opozitës nuk raporton objektivisht dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve, por propagandon ekskluzivisht për pushtetin, raporton Beta.
Gjithashtu kërkohet që si shërbim publik i paguar nga të gjithë qytetarët, RTS të raportojë për “vjedhjen e dëshmuar elektorale dhe përmbysjen e vullnetit të popullit në zgjedhjet e dhjetorit”. /Ballkani.info/
BONUS VIDEO: Komandanti i UÇK-së, Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut







