‘Tensione’ – Gërvalla i del në mbrojtje Vitisë pas kritikave të deputetit të VV-së: Ia heq kapelën për përkushtimin, zellin…

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pak orë pasi atij dorëheqjen ia kërkoi edhe deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta.

Karameta të enjten i kërkoi Vitisë që të japë dorëheqje e të fokusohet në zgjedhjet në Prishtinë, duke ia “numëruar dështimet” si ministër. Ndërkaq, tani, anëtarja tjetër e Listës “Guxo”, i ka dalë në mbrojtje Vitisë duke e lavdëruar atë për marrëveshjen për vaksina ndaj COVID-19.

“Heq kapelën para kolegut tim, Arben Vitia. Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellë betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën. Më 22 mars 2021 patëm trashëguar nga qeveria paraprake jo vetëm 0 vaksina, por edhe 0 kontrata, ndërkohë që shtetet e tjera shumicën e kontratave i kishin lidhur që në vjeshtën dhe dimrin e vitit të kaluar. Me ndihmën fillimisht të partnerëve ndërkombëtarë dhe më pas me lidhjen e kontratës direkte me kompaninë Pfizer, edhe në Kosovë , edhe pse me mjaft vonesë, arritën më në fund vaksinat dhe vaksinimi filloi në masë. Ndërkohë janë dhënë mbi treçerek milionë vaksina”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa për rritjen e rasteve ditëve të fundit, Gërvalla ka thënë se “varianti i ri e ka vënë gjithë botën para një sfide”.

Ajo ka shtuar se shtrëngimi i masave e përshpejtimi i vaksinimit po del se janë të vetmet rrugëdalje.