Tenderi në Suharekë për fidane që kushtoi afër 260 mijë euro: Shumica prej tyre janë tharë

Në fshatin Savrovë të Suharekës, drunjtë e mbjellur nga komuna shumica prej tyre janë tharë. Një fidan i tillë kushtonte 92 euro për copë, derisa vlera e kontratës së tenderit ishte 259.840€.

Në vitin 2019 është nënshkruar kontrata ‘Krijimi i parqeve të gjelbërta-mbjellja e fidaneve përgjatë rrugës Suharekë-Prizren’, në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunë së Suharekës.

Aty parashihej që të mbilleshin 2800 copë fidanë përgjatë rrugës magjistrale Therandë-Prizren.

Mjetet për realizimin e këtij projekti ishin ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Palnifikimit Hapësinor, por ky projekt nuk kishte shkuar sipas planifikimit, destinacioni i mbjelljes së këtyre fidanëve ishte ndryshuar, pjesa dërmuese e tyre ishte mbjellur në hapësira lokale dhe rurale, madje ka fidanë të cilat janë mbjellur në rrugë terciare, si shembull në rrugën ‘Ledina Halimit’ në fshatin Savrovë.

E pikërisht tek rruga ‘Ledina Halimit’ këto fidane janë tharë dhe pjesë gjelbëruese është vetëm bari që gjendet për gjatë kësaj rruge.

Në pamje shihen se si janë tharë bimët, për të cilat çmimi për copë kushtoi 92€.

Për ndërrimin e destinacionit si dhe mbjelljen e këtyre fidaneve tashmë të thara janë bashkëpërgjegjës Komuna e Suharekës dhe Ministria.

Vlera e kontratës ishte jashtëzakonisht e madhe, ku çmimi në total ishte 259.840€, pra një fidan i tillë kushtoi 92€.

Më poshtë keni edhe kontratën e publikuar për këto fidanë që shumica prej tyre janë tharë.