Televizioni publik gjerman: Kosovarëve u humb besimi te Kurti, mbi 100 mijë persona kërkuan ta lëshojnë vendin për dy muaj

Televizioni publik gjerman, ARD Wien i ka kushtuar një shkrim kthimit në përditshmëri në Kosovë, pas festës që u organizua për 14 vjetorin e pavarësisë. Këtu përmendet papunësia e lartë dhe mbi 100 mijë persona që po aplikojnë për takime rreth vizave në Ambasadën Gjermane.

ARD Wien, një prej mediumeve më të besueshme gjermane, përmend se shumë të rinj kosovarë nuk shohin kurrfarë përspektive në shtëpinë e tyre, përcjell Demokracia.com.

“Papunësia është e lartë, shumë të rinj nuk shohin asnjë perspektivë në shtëpinë e tyre. Kosova ende nuk e ka marrë lirinë e shumëpritur të vizave nga BE. Me rezultatin se vetëm në dhjetor dhe janar, mbi 100,000 njerëz në ambasadën gjermane u përpoqën të aplikojnë për një takim për vizë pune në Gjermani. Rreth 460 takime janë dhënë në muaj”, thuhet në këtë shkrim.

Veç kësaj, përmendet edhe kryeministri Albin Kurti, mbështetja ndaj të cilit, theksohet se ka rënë jashtëzakonisht shumë, përcjell Demokracia.com.

“Shpresat që shumë njerëz kanë vendosur në qeverinë e re të Premier Albin Kurtit dhe partisë së tij Vetëvendosje nuk janë përmbushur shumë. Sondazhet më të fundit tregojnë rënie të mbështetjes për qeverinë, e cila ka qenë në detyrë prej një viti”, thuhet tutje.

Vetë Kurti kishte pretenduar se për pak muaj të qeverisjes së tij, janë hapur 10 mijë vende pune dhe se ekonomia është rritur shumë. Megjithatë, të gjitha raportet e Bankës Botërore e demantojnë këtë.

Kujtojmë se muajve të fundit, në Kosovë është shënuar një rritje e madhe e çmimeve në produktet bazike si buka, derisa edhe energjia elektrike është shtrenjtuar dukshëm, gjë e cila i ka nervozuar qytetarët./Demokracia.com/