Televizioni i Beogradit: Serbët në veri, të detyruar të dalin në barrikada

Askush nuk është duke punuar në komunat veriore të Kosovës– as shkollat, as institucionet e as hotelieria. Të gjithë të punësuarit e kanë obligim pune të jenë në barrikadat që kanë bllokuar rrugët kufitare me Serbinë, ka raportuar të martën mediumi serb “N1” nga vendi i ngjarjes.

Rudari në Zveçan është fshati që është mbushur me kamionë të cilët kanë bllokuar rrugën. Si pasojë e barrikadimit, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë. Sipas raportimit, janë 100-200 serbë po qëndrojnë nëpër barrikada gjatë ditës.

Pamjet e shfaqura nga ky medium tregojnë dhjetëra vetura të parkuara skaj rrugës, e burra dhe gra që qëndrojnë në këmbë.

Të mërkurën nuk janë regjistruar incidente, ndërsa të barrikaduarit, sipas raportimit, janë “të shqetësuar” se kur dhe nëse Policia e Kosovës do ta nisë heqjen e barrikadave.

Njerëzit “janë të shqetësuar për listën e famshme” që e ka Policia e Kosovës, që thuhet se përmban listën e njerëzve të kërkuar për arrestim. Askush s’e ka të konfirmuar se kjo listë ekziston, por se kjo vetëm flitet mes njerëzve.

Në mesin e të barrikaduarve askush nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë.

Barrikadat në veri këtë herë janë vënë pas arrestimit të një ish-polici serb, që dyshohet se ka kryer sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve javën e shkuar, në përpjekjet për të shkuar në zyrat e tyre në komunat veriore, në përgatitje për zgjedhjet që u parapanë për 18 dhjetor, e që më pas u vendos të shtyheshin për shkak të tensioneve.