Telekomi u bën ofertë punëtorëve për pensionim të parakohshëm e ndërprerje vullnetare të kontratave

Punëtorët e Telekomit të Kosovës, më 25 mars kanë pranuar një e-mail të pazakontë.

Në këtë shkresë elektronike, të titulluar “Ofertë me pako vullnetare për punëtorët!”, të cilin e ka siguruar KosovaPress, të punësuarve në këtë kompani iu ofrohet një pako dalëse, e cila përfshin dy mundësi.

Stafi janë njoftuan gjithashtu edhe për procesin e ristrukturimit (reformimit) që ka hyrë në fazën e tij përfundimtare dhe për hapat që do të ndërmerren në vijim.

Në email u bëhet ofertë punonjësve për që dalin në pension gjatë katër vjetëve të ardhshme të arrijnë marrëveshje për pensionim të parakohshëm, ndërsa po ashtu u bëhet ofertë edhe punonjësve që janë të interesuar për ndërprerje të kontratës në mënyrë vullnetare.

“a)Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe

b) Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thuhet ndër të tjera në e-mailin e dërguar secilit punëtorë.

Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim.

Derisa, punëtorët e Telekomit që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do të marrin 24 paga bruto përnjëherë.

Në këtë email, thuhet po ashtu se “Kjo ofertë bëhet vetëm gjatë intervalit kohor 25 mars 2022 deri më 25 prill 2022, që përkon me periudhën para finalizimit të procesit të ristrukturimit. Pas kësaj date në kompani do të rianalizohen opsionet e tjera që gjithsesi nuk do të jenë kaq të volitshme”.

Zëdhënësi i Telekom-it, Fadil Lepaja, ka konfirmuar për KosovaPres dërgesën e këtij e-maili te punëtorët e kësaj kompanie dhe ka treguar arsyen.

“Po e konfirmojmë dërgesën e këtij e-maili te punëtorët. Bëhet fjalë për një komunikim të brendshëm dhe qëllimi është i shprehur në “ofertë”. Ne nuk e kemi paraparë që lidhur me këtë, në këtë fazë, të njoftojmë edhe publikun, por e mirëpresim interesimin e juaj dhe nuk shohim asgjë të keqe në faktin që dikush e ka përcjellur njoftimin tonë te ju, edhe pse u ishte dedikuar vetëm punëtorëve dhe ishte vetëm për komunikim të brendshëm”, thotë ai.

Lepaja është përgjigjur se kërkesa për këtë ofertë ka qenë nga aksionari, në këtë rast nga Qeveria. Derisa thekson se qëllimi i kësaj oferte është zvogëlimi i shpenzimeve operative për mbijetesën e Telekomit, pasi siç thotë ai kjo kompani është futur në borxhe deri në “fyt”.

“Qëllimi i ristrukturimit nuk ka qenë dhe nuk është që arbitrarisht të shkurtoj vende pune e as të largoj njerëz nga puna, por ka për qëllim ta bëj funksionale kompaninë dhe t’i ul shpenzimet operative në nivelin optimal. Kjo ka qenë edhe kërkesë e aksionarit, por është edhe kusht për mbijetesën e kësaj kompanie e cila është sjellë në këtë gjendje përmes një menaxhimi të keq dhe kontratave korruptive. Ajo është futur në borxhe deri në fyt, gjithashtu duke i rritur në kulm shpenzimet operative të pa arsyetuar me nevojat e biznesit, shpesh përmes blerjes së qetësisë sociale në shoqëri, duke krijuar vende fiktive të punës apo duke ngritur grada arbitrarisht e bashkë me këtë edhe pagat për zyrtarë të cilët me asgjë nuk e arsyetonin këtë”, shkruan ai.

Për këtë e-mail, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë për KosovaPress, se ndihet i habitur me këtë njoftim të cilin e quajti diskriminues, pasi që nuk janë ftuar nga Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit për hartimin e kësaj oferte.

Ndonëse, Balaj i garanton të gjithë punëtorët, të cilët nuk dëshirojnë që të shkojnë në pensionim të parakohshëm, se nuk do të ketë largim kolektiv të punëtorëve nga Telekomi i Kosovës.

“Ajo çka mua nuk më ka pëlqyer mua dhe kryesisë së Sindikatës, është se ne nuk jemi pyetur fare për kushtet e pakos dhe ka qenë obligim që menaxhmentit të ulet e të diskutojë me sindikatat. Për mua si sindikatë nuk është e drejtë që si përfaqësues i punëtorëve të Telekomit, me një numër mbi 50 për qind të të punësuarve të pranojë e-mailin e njëjtë bashkë me punëtorët e Telekomit, sepse ne këtë e shohim si diskriminuese”, thotë Balaj.

Zëdhënësi i Telekom-it, Lepaja ka folur edhe për ankesat e sindikalistëve.

“Kjo është një ofertë e menaxhmentit, e mbështetur nga aksionari, kështu që lidhur me të nuk ka qenë e nevojshme të negociohet me sindikatat. Kjo është një ofertë individuale, e tipit “atij që i intereson”, vetëm për ata që mund ta gjejnë me interes dhe nuk është pako e detyrueshme për askënd. Asnjë pasojë nuk rrjedh nga mosinteresimi për këtë ofertë”, thotë Lepaja në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, shefi i sindikatës, Balaj, ka kërkuar nga punëtorët që mos të frikohen nëse nuk e marrin pakon ‘oferta’.

“Në rast se do të ketë mundësi, ne do të reagojmë dhe do kërkojmë nga aksionari që ta rishqyrtojë një gjë të tillë. Nuk po themi që është e rregullt, por gjatë gjithë vikendit kemi marrë telefonata ku kanë thënë ‘a mundem unë me shkuar’. Pse po më pyet mua a mundem me shkuar, sepse është një pako vullnetare. Mos iu frikoni nëse nuk e merrni pakon. Nëse një punëtor e sheh veten që nuk ka qenë i kualifikuar për atë pozitë, është e drejtë e tij me zgjedhur”, thotë ai.

Derisa ka paralajmëruar se askush nuk do të mund t’i largojë punëtorët nga puna.