Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj ka thënë se viti 2023 ka qenë një vit i vështirë për sektorin e arsimit duke përmendur mungesën e teksteve shkollore, rezultatet në testin PISA e mungesa e dialogut me Qeverinë e Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
I pari i SBASHK-ut në një intervistë për Ballkani.info thotë se Kurti dhe Nagavci do të duhej të mësonin nga koha e pandemisë dhe të përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë në arsim.
Jasharaj po ashtu ka kërkuar nga Nagavci që të bashkoi në MASHT, Akademinë e Shkencave, Këshillin e prindërve, ekspertë e mirëfilltë, Fakultetin e Edukimit që të diskutojnë për sfidat dhe vështirësitë që përballet arsimi në mënyrë që të përmirësohen kushtet e punës.
“Dola menjëherë me një apel pas shpalljes së rezultateve të testit PISA. Dhe për herë të parë e përgëzova zonjën Nagavci e cila para mediave ishte e matur dhe njërin prej faktorëve e përmendi kohën që kemi kaluar me pandeminë dhe me mësimin online. Unë kam menduar se z. Kurti dhe znj. Nagavci do të mësojnë nga mësimi online nga koha e pandemisë sepse na gjeti goxha të papërgatitur , mësimdhënësit nuk kishin laptop dhe projektor, shkollat nuk ishin të digjitalizuara. Pra të gjitha këto është dashur të iu japin mësim, e nuk iu dhanë fatkeqësisht. Z. Kurti dhe znj. Nagavci nuk kam si ta shpjegoj ndryshe vazhdojnë më inatin. Unë bëra apel që znj. Nagavci të na bashkoj në MASHT, Akademinë e Shkencave, Këshillin e prindërve, ekspertë e mirëfilltë, Fakultetin e Edukimit dhe të shohim një për një kushtet e punës nuk janë të mira t’i përmirësojmë, tekstet nuk janë të mira t’i përmirësojmë, korikuli nuk po korrespondon me kërkesat”, thotë ai për Ballkani.info.
Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se punëtorët e arsimit, por edhe të sektorëve të tjerë pavarësisht se ishin të zhgënjyer me Ligjin për paga, ata janë zhgënjyer edhe më shumë kur Qeveria ka vendosur që koeficienti për paga të rritet për vitin 2024 nga 105 sa ishte në 110 dhe jo sa ishin kërkesat e sindikatave që koeficienti të ishte së paku 130 euro.
“Zhgënjimi është rikthyer me vendimin të cilin e kishte proklamuar 5-6 muaj më parë Hekuran Murati dhe këta e kanë bërë zakon atë që e thonë nuk e luajnë dhe po lujti bota. E tha se në vitin e ardhshëm vlera e koeficientit nga 105 do të jetë 110 ne të gjithë jemi angazhuar dhe i kemi lutur edhe deputetët që në dy leximet e buxhetit kjo vlerë të jetë së paku 130, me arsyetimet se me këtë koeficient mësimdhënësit dhe të tjerët në sektorin publik do t’i përballonin më lehtë këto ngritje çmimesh, nuk do të bëheshin më të pasur. Dhe ishte zhgënjim i shtuar kur qeveri tha kam thënë dhe ia vuri pikë”, tha Jasharaj.
Sipas Jasharaj me koeficientin e ri të pagave punëtoret në arsim do të kenë rritje vetëm 28 euro.
“Ne bëmë analizat e para dhe kjo është irrituese e nënçmuese, pasi që ngritja e pagës në arsim nga janari krahasuar me dhjetorin do të jetë diku 28 euro dhe shumë nga mësimdhënësit në mënyrë spontane kanë thënë më mirë mos me i marrë hiç”, tregoi ai.
Më poshtë e gjeni intervistën e plotë:







