Të rinjtë serbë organizohen për ta larguar muralin e Ratko Mlladiqit në Beograd, shteti ua ndalon

Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi sot nga MPB-ja serbe e ka marr vendimin për ndalimin e tubimit të kërkuar nga ana e tyre, i caktuar të mbahej më 9 nëntor, gjatë së cilit ishte planifikuar largimi i muralit të Ratko Mlladiqit, i cili ndodhet në ndërtesën e një rruge të Beogradit, shkruan Danas.rs.

“Ndalimi i organizimit të tubimit tonë është një përballje mes policisë serbe dhe pjesës së mbetur të traditës antifashiste dhe paqësore të vendit, dhe në të njëjtën kohë, në vend se të mbrohet liria dhe e drejta e qytetarëve serbë, po mbrohet personazhi dhe po festohen krimet e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, së bashku me grupet ekstremiste”, thuhet në deklaratën e kësaj Iniciative.

Bëhet e ditur se fillimisht heqja e këtij murali ishte koordinuar me komunitetin e banesave dhe Iniciativa Rinore u kishte bërë thirrje njerëzve me shpirt liridashës që së bashku në publik t’i kundërshtojnë kriminelët e luftës.

Në shpjegimin e ndalimit të tubimit të kërkuar, i është thënë se mund të ketë “konflikt fizik të ndërsjellë për shkak të mbledhjes më të madhe të njerëzve të tjerë që do të shprehnin pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre ndaj tubimit të kërkuar”.